Bien ndjeshëm aksidentet rrugore me pasojë vdekjen – Tirana dhe Shkodra qarqet më problematike
Treguesit e sigurisë rrugore janë përmirësuar ndjeshëm gjatë këtij viti. Sipas të dhënave që raporton Instituti i Statistikave, numri të aksidentuarve për periudhën janar-Prill është 651 persona, duke u ulur me 9.6% krahasuar me një vit më parë.
Shifrat janë më pozitive sa i takon vdekshmërisë nga këto aksidente, ku numri i individëve që kanë humbur jetën në këtë periudhë është ulur me 20.8% në 61 të vdekur.
Pothuajse 1 në 5 aksidente kanë si shkaktarë sjelljen e këmbësorit, një arsye në rritje gjatë këtij viti. INSTAT llogarit se nga 61 rastet fatale, 48 janë përgjegjësi e sjelljes së këmbësorëve dhe vetëm 13 raste gjejnë fajtor drejtuesin e mjetit.
Ndarë sipas grupmoshave, drejtuesit e moshës 25-35 vjeç janë segmenti me numrin më të lartë të aksidenteve, megjithëse në rënie për vitin 2018. Një rritje me 8.2% vihet re në aksidentet rrugore që lidhen me drejtues të moshës 35-45 vjeç, ndërkohë që në katër muaj janë shënuar edhe 5 raste të aksidenteve kur drejtuesit ishin të mitur nën moshën 16 vjeç.
Sa i takon shpërndarjes gjeografike të aksidenteve, gati gjysma kanë ndodhur në qarkun e Tiranës, por duke qenë se janë kryesisht në zonën urbane kanë patur vetëm 14 viktima. Qarqet më problematike sa i përket vdekshmërisë nga aksidentet janë Shkodra me 11 të vdekur, numër në rritje nga një vit më parë; ndjekur nga Durrësi me 9 të vdekur, po ashtu në rritje; dhe Elbasani me 8 të vdekur.
Ndërkohë në qarkun e Fierit janë regjistruar 3 aksidente fatale më pak se katërmujori i parë i vitit të kaluar. Shoqëruar nga një numër në ulje i aksidenteve, Fieri ka shënuar përmirësime të ndjeshme, duke patur parasysh se një vit më parë renditej i dyti pas Tiranës për numrin e viktimave.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.