Bien ndjeshëm investimet e OSSH – Për 2020-ën 1.16 mld lekë, shpenzime vetëm për rikonstruksion nënstacionesh
1.16 mld lekë është plani i investimeve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për vitin 2020, me një rënie të ndjeshme në raport me vitin 2019, ku vetëm në 9-mujorin e parë u shpenzuan 2.95 mld lekë, teksa vlera totale e kontratave të lidhura arrinte në 3.75 mld lekë. Financimi për këtë vit fokusohet vetëm te rikonstruksioni dhe fuqizimi i disa nënstacioneve, ndërkohë që nuk është parashikuar asnjë investim në ndërtim rrjeti, kabina elektrike të reja, rikonstruksione kabinash ekzistuese,etj.
Më konkretisht, pjesa më e madhe e financimit fokusohet te rikonstrukioni dhe fuqizimi i nënstacionit 110/20 kv të Traktorëve dhe Selitës me nga 100 mln lekë , nënstacionit të Korçës me 130 mln lekë si dhe ndërtimi apo rikonstruksioni i sistemit të mbrojtjes në nënstacionet kritike ku injektojnë energji HEC-et publike e private në zonat e Korçës, Bulqizës apo Librazhdit. Investime parashikohen edhe nënstacionin e Kasharit, Karvastasë, Shkozetit, etj.
Ndërkaq, vetë OSSH, në dokumentin e paraqitur pranë Entit Rregullator të Energjisë evidenton si pika kritike humbjet teknike, që lidhen kryesisht me rrjetin tejet të amortizuar, përfshirë moshën mesatare të nënstacioneve, mbi 40 vjet; Investime të pamjaftueshme për përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit të shpërndarjes, mbingarkesë e elementeve të sistemit, si transfomatorë, fidera, përcjellës, etj.
Ndërkaq, sa i takon humbjeve jo teknike ato lidhen me ndërhyrjet e paligjshme në rrjet, efiçiencën e ulët të matjes, matësa të palexuar; faturimin jo eficent, etj. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kaloi një periudhë të vështirë vitin që lamë pas për shkak të thatësirës së tej zgjatur,që u pasua nga një faturë mbi 100 mln euro për blerje energjie.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.