Bilancet e gënjeshtërta – Kanë dështuar shitjen e kompanive
Ka ndodhur që shitja e kompanive shumë të rëndësishme në Shqipëri të ketë dështuar për shkak të bilanceve të dyta dhe besueshmërisë së ulët të pasqyrave financiare.
Drejtuesi vendor i Deloitte për Shqipërinë, Maksim Caslli, dha të mërkurën një shembull konkret të rëndësisë së një raportimi financiar transparent në tërheqjen e investitorëve dhe zhvillimeve ekonomike.
Për këtë qëllim, Ministria e Financave në bashkëpunim me partner ndërkombëtarë ka ndërmarrë një projekt për reformimin e raportimit financiar.
Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Deralla, evidentoi se edukimi për raportimin financiar duhet të thellohet edhe te përdoruesit dhe sidomos te institucionet mbikëqyrëse dhe ato tatimore.
Sipas tij, në shumë raste organet tatimore refuzojnë të njohin aplikimin e standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar nga bankat.
Një anketim i kryer nga kompania Deloitte tregoi se, në perceptimin e ekspertëve, cilësia e raportimit financiar është përmirësuar, por lë ende për të dëshiruar, sidomos në aspekte që lidhen me transparencën mbi metodat e administrimit të rrezikut apo në marrëdhëniet e biznesit me palët e lidhura.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.