Bilanci i 2017-ës – Rritja ekonomike dhe papunësia “thyejnë” projeksionet, inflacioni “ngec”
Tashmë që 2017 është drejt fundit, shifrat, të paktën ato që janë edhe shtyllat kryesore makroekonomike, flasin për një bilanc mjaftueshëm pozitiv, por edhe përtej projeksioneve të fillimit të këtij viti.
Norma e papunësisë, vlerësohet të ketë zbritur në 13.6% gjatë tremujorit të tretë të vitit. Ky është niveli më i ulët në 5 vite. Projeksionet e fillim vitit ndërkohë, flisnin për një normë papunësie në 15.2%, të paktën sipas raportit të Komisionit Europian, të publikuar më 17 Janar të këtij viti dhe që analizon deri në detaj ekonominë e Shqipërisë. Pra, mesa duket, ekonomia shqiptare e ka tejkaluar bindshëm projeksionin e papunësisë.
Sa i përket rritjes ekonomike, ndërkohë, shifrat më të fundit, ato të gjashtëmujorit të parë flasin për 4.06% rritje. Të gjithë indikatorët e tjerë sinjalizojnë gjithashtu një rritje pranë 4% këtë vit. Kjo shifër është bindshëm mbi ato të fillim vitit, e madje edhe mbi ato të vetë qeverisë shqiptare që në fillim të 2017-ës flisnin për 3.7% rritje.
Banka Botërore, Komisioni Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ndërkohë flisnin për 3.5% rritje ekonomike gjatë 2017-ës. Edhe për rritjen ekonomike, realiteti duket se i ka tejkaluar ndjeshëm projeksionet.
Një ndër elementët më të rëndësishëm të ekonomisë së një vendi është edhe inflacioni. Aktualisht, të dhënat më të fundit flasin për një normë pranë 1.9%, nga 3% që është objektivi i Bankës Qendrore. Projeksionet e fillim vitit ndërkohë flisnin për një normë pranë 2.3% këtë vit. Gjithsesi, duke qenë se inflacioni është një indikator i luhatshëm, gjasat janë që deri në fund të vitit, ky objektiv të mund të realizohet.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.