Bizneset e “lëkundur” nga tërmeti/ Sipërmarrjet, të “paralizuara”. Të harruara nga qeveria!
Sipas të dhënave paraprake të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, në total janë mbi 900 biznese të vegjël, që nuk kanë mundur të rinisin aktivitetit për shkak të dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet me magnitudë 6.3 të shkallës rihter. Por, ndryshe nga këto sipërmarrje, në Durrës duket qartë se të tjerë po rrezikojnë.
Dëme të shumta në Qarkun Durrës kanë pësuar edhe bizneset e mëdhenj. Numri arrin në 120, ndërkohë që 20 prej tyre nuk kanë mundur t’i rikthehen aktivitetit. Por, pavarësisht kësaj situate, institucionet duket se i kanë kaluar në plan të dytë sipërmarrjet, në drejtim të çertifikimit të sigurisë së objekteve. Vetë ata pohojnë se verifikimet për sigurinë në ndërtesa po i bëjnë privatisht.
Administratorja e “Pespa Alumin”, Ana Manka thotë se rekuperimi i dëmeve të shkaktuara është i pamundur të kryhet nga vetë kompania.
Në vështirësi janë edhe ato sipërmarrje që po tentojnë t’i rikthehen aktivitetit normal, por që për fat të keq po vujanë rënien drastike të xhiros.
Pak ditë më parë edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë të ndërhyjë, me qëllim rindezjen e motorit ekonomik të zonës, që zë 10% të PBB-së. Dhoma ka kërkuar pezullimin e pagesës së taksave dhe sigurimeve të punonjësve për bizneset e këtij qarku për një periudhë 3-vjeçare, përshpejtimin e rimbursimit të TVSH-së apo një sërë masash të tjera që do të ndihmonin ringritjen e biznesit. Megjithatë, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret në këtë drejtim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.