Bizneset jo përfituese – Doganat përjashtojnë 20 sipërmarrje nga ligji i faljes
Numri i bizneseve të cilave iu janë falur detyrimet e prapambetura ndaj administratës fiskale ka qenë i konsiderueshëm.
Por jo të gjitha sipërmarrjet që kanë detyrime ndaj kësaj administrate mund të përfitojnë. Kështu nëpërmjet një vendimi Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ka përjashtuar nga përfitimi 20 biznese të cilat kanë patur detyrime të prapambetura ndaj kësaj administrate.
Sipas informacionit të Doganave, këto sipërmarrje janë të përjashtuar nga përfitimi i ligjit të faljes së detyrimeve doganore, pasi janë debitorë të dënuar me vendim penal të formës së prerë në fushën doganore.
Po sipas informacionit të kësaj liste, e cila është hartuar nga Sektori i Monitorimit të Borxhit, këto subjekte janë gjobitur për shkelje nga degët doganore Vlorë, Kapshticë, Gjirokastër, Sarandë, Korçë dhe Qafë-Thanë.
Ligji për faljes së borxheve që biznesi i ka administratës fiskale është një nismë e qeverisë, që erdhi pas diskutimesh të shumta dhe dakortësimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në total borxhi tatimor dhe doganor potencialisht ulet me 91 miliard lekë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.