Bizneset pasive – Tatimet publikojnë listën me mbi 112 mijë biznese
Numri i bizneseve që kanë deklaruar mbylljen e aktivitetit pranë tatimeve është rritur gjatë fundit të vitit të kaluar dhe muajt janar të këtij viti. Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore kanë bërë që sipërmarrësit, por edhe administrata fiskale të jetë më e qartë për situatën e biznese në vend.
Kështu referuar të dhënave më të fundit të përditësuara në fillim të muajit shkurt, të regjistrit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, numri total i bizneseve pasive në këtë fillim viti rezulton të jetë 112 070.
Ndërkohë në fund të muajit gusht të vitit të kaluar numri i këtyre bizneseve pasive ishte 109 099. Sipas legjislacionit në fuqi, bizneset që rezultojnë me status pasiv nuk janë subjekt i dorëzimit të bilancit pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve, gjatë dy viteve të fundit po aplikon procedurën për përditësimin e listës së këtyre subjekteve, kjo në sajë të funksionimit edhe të sistemit të ri informatik të tatimeve.
Ky sistem tashmë po nxjerr apo fut automatikisht edhe strukturën e bizneseve që janë “borxhli” ndaj tatimeve, si dhe bizneset e tjera që janë në proces falimenti.
Ky sistem të dhënash nga administrata tatimore synon që krahas uljes së evazionit fiskal, ka për qëllim dhe publikimin e listës, e cila vë në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje – blerje) me subjekte të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv.
Një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; nuk dorëzon deklaratën tatimore për një vit dhe gjithashtu deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë një vjeçare apo pa afat të përcaktuar.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.