Biznesi dhe ryshfeti – Indeksi, Shqipëria e 95-ta në botë, më mirë se Serbia
Një nga efektet më negative të korrupsionit është shkatërrimi i klimës së biznesit. Indeksi i riskut të ryshfetit ( TRACE Bribery Risk Matrix ) mat pikërisht rrezikun e bizneseve në vende të ndryshme të botës për t`u përballur me praktika ryshfeti nga zyrtarët publik. Renditja më e fundit e vendos vendin tonë të 95-tin në botë ndër 200 shtete të ndryshme. Madje, ndryshe nga organizma të tjerë, Shqipëria duket se është më mirë se vende si Serbi apo Bosnje Hercegovina, ndërkohë që në Europë, janë edhe vende të tjera, si Moldavia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Hungaria apo Turqia, të pozicionuara më keq.
Indeksi i përgjithshëm, ku vendi ynë grumbullon 52 pikë në total, përllogaritet mbi bazën e 4 shtyllave. Performancën më të dobët vendi ynë e regjistron në drejtim të shanseve, pra të kontaktit të bizneseve me autoritetet shtetërore dhe gjasave për t`u bërë pre e praktikave korruptive.
Edhe indikatori tjetër, ai i mekanizmave për t`i bërë ballë fenomenit si dhe ai i pranimit të fenomenit nga shoqëria, nuk ka një pikëzim të favorshëm. Disi më mirë ndërkohë janë 2 shtyllat e tjera, që i referohen rolit të shoqërisë civile si dhe ai i transparencës së autoriteteve. Ndër nën-indikatorët, ai i shtypit të lirë është ai që regjistron performancën më të mirë në absolut.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.