Biznesi i madh solli rritjen e kredisë në 2019 – Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë rikthimin e tendencës
Biznesi i madh ka marrë në dorë rritjen e kredisë për ekonominë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Të dhënat e tendencave në kreditim, të Bankës së Shqipërisë, tregojnë se pikërisht ky segment ka qenë përcaktues në rritjen e huasë për ekonominë, ndërsa te bizneset e vegjël dhe individët rritja është shfaqur më e ngadaltë. Tërmeti i nëntorit duket se mund të ketë pasur ndikim pikërisht te huamarrësit më të vegjël, ndërsa nuk ka ndikuar shumë ecurinë e ndërmarrjeve të mëdha. Kredia për biznesin e madh u rrit me 4.5%, rreth 2.5 pikë përqindje më shumë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Aktualisht, ajo përbën rreth 12.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në analizën e Bankës së Shqipërisë, gjallërimi i kredisë për biznesin e madh lidhet shumë me përmirësimin e ofertës në këtë segment të tregut. Lehtësimi i ofertës mund t’i atribuohet më së shumti dy faktorëve, uljes së kredive me probleme dhe procesit të ristrukturimit të sistemit bankar.
Në fund të vitit 2019, raporti i kredive me probleme për bizneset zbriti në 10.7%, niveli më i ulët historik prej rreth 11 vjetësh. Rënia në këto nivele mund të konsiderohet një arritje e rëndësishme për sistemin bankar, po të kemi parasysh se kreditë e këqija të biznesit patën arritur deri në rreth 26% të totalit, në kulmin e krizës së tyre. Ulja e këtij raporti është ndikuar më së shumti nga procesi i fshirjes së kredive të humbura. Në pesë vjet, bankat kanë fshirë nga bilancet rreth 68 miliardë lekë ose rreth 560 milionë euro kredi të bizneseve.
Së fundmi, rritja e kreditimit te biznesi i madh duket e lidhur edhe me ndryshimin e pronësisë mbi disa prej bankave tregtare, çka e rritur ofertën për kredi. Disa prej bankave që kanë ndryshuar pronësi, sidomos Tirana Bank dhe OTP Bank, janë shfaqur mjaft aktive në huadhënie, përfshi këtu segmentin e kredive të mëdha korporative.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.