Biznesi, nis zbardhja e aksionerëve anonimë – Përcaktohen procedurat e regjistrimit në QKB të pronarëve të vërtetë, gjoba deri 10 mijë USD
Ndërsa ka hyrë në fuqi që në verën e këtij viti Ligji për zbardhjen e pronarëve apo aksionerëve të vërtetë të bizneseve, Këshilli I Ministrave ka miratuar këtë javë procedurat përmes të cilave ata do të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si dhe në regjistrin e posaçëm që do krijohet për këtë qëllim.
Në rastin e regjistrimit fillestar të pronarëve përfitues, përfaqësuesi ligjor i tyre duhet të paraqesë dokumentacionin që vërteton numrin unik të identifikimit dhe emrin e subjektit raportues, si dhe datën e regjistrimit të subjektit në regjistrin përkatës;
ii. dokumentacionin që vërteton të dhënat e identifikimit të pronarit përfitues; si dhe dokumentacionin e autoritetit kompetent regjistrues, që vërteton se pronari përfitues i regjistruar është zotërues i 25 (njëzet e pesë) % ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit, të të drejtave të votimit ose të interesave të pronësisë.
Ndërsa Ligji i ri përcakton qartë subjektet dhe personat që kanë detyrimin ligjor për të raportuar pronarët apo zotëruesit fundorë të aksioneve, parashikon dhe gjoba të kripura për ata që nuk respektojnë afatet e dërgimit të të dhënave. Mos-regjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “a” të pikës 3 të nenit 5 të këtij ligji dënohet me gjobë në vlerën 500 000 lekë, apo afërisht 5 mijë dollarë;
Mos-regjistrimi i çdo ndryshimi në të dhënat e regjistruara dhe në dokumentet shoqëruese, që depozitohen në regjistër, brenda afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 250 000 lekë, apo rreth 2.500 dollarë;
Mospërmbushja e detyrimit të subjekteve raportuese ekzistuese për regjistrimin e të dhënave të kërkuara nga ky ligj brenda afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë.
Për shkeljet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni dënohet me gjobë prej 150 000 lekësh edhe përfaqësuesi ligjor i subjektit të regjistruar, person juridik. Për subjektet, që kryejnë shkeljet e parashikuara ligj për më tepër se një herë, gjobat do të dyfishohen.
Gjoba vendoset nga titullari i QKB-së, vendimi i të cilit ankimohet drejtpërdrejt në gjykatën administrative kompetente në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative, përcakton ligji për Pronarët Përfitues.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.