Blerja e energjisë për tetorin – OSHEE: Do shpenzohet 5-12 mln euro, duhen 80 000 MWh
Fondi që do të shpenzojë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për blerjen e energjisë për muajin tetor do të variojë nga 5-12 milion euro. Burime pranë kësaj kompanie thanë për TV SCAN se vlera e shpenzimeve do të varet nga negociatat që do realizohen me subjektet, me çmimet e tregjeve ndërkombëtare si dhe në varësi të blerjes së energjisë nga KESH.
Nisur nga kjo e fundit, të njëjtat burime thanë se OSHEE shpreson që KESH të ketë mundësinë e prodhimit të një sasie të mjaftueshme të energjisë, si dhe të lëvrohet kësti i dytë i kredisë së Bankës Botërore, në vijim të blerjes së parë që u bë në muajin shtator.
“Në qoftë se këto 2 elementë realizohen, atëherë sasia që do të blihet nga OSHEE do të jetë më pak se muaji shtator, duke arritur në 80 mijë MWh”, shtuan burimet, duke theksuar se janë të hapur të presin oferta, edhe në rast se KESH nuk realizon dot blerje.
Për muajin shtator OSHEE shpenzoi 20 milion euro për blerjen e energjisë, ndërkohë që u blenë 271.620 MWh.
Tre muajt e fundit, situata e energjisë në vend është përkeqësuar për shkak të thatësirës së tejzgjatur, çka bëri që edhe KESH të blejë për shtatorin 115,200 MWh me një çmim mesatar prej 62.33 Euro/MWh.
Ndërkaq, nga OSHEE për periudhën kohore korrik-shtator, janë blerë gjithsej gati 80 milionë euro energji.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.