Kënd i ri lojrash te Piramida – Veliaj: Brenda vitit fillon transformimi i kësaj ndërtese

Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e një këndi të ri lojrash dhe sheshi rekreativ pranë Piramidës, i cili do të shërbejë jo vetëm si kënd lojërash për fëmijët, por edhe si një vend ku të moshuarit mund të kalojnë kohën e tyre. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet e kryera, ndërsa theksoi ky është këndi i 24 dhe një nga më të bukurit që është realizuar në këto dy vite nga Bashkia e Tiranës.
“Kemi përuruar disa nga këndet e lodrave që kemi bërë nëpër Tiranë, por ky është pa dyshim një nga më të bukurit. Ndodhet në pjesën më të rëndësishme të qytetit, mbrapa Piramidës, një ndërtesë ikonë e Tiranës. Por, harrojmë se përveç bankës, Piramidës, qeverisë, këtu ka edhe banorë, edhe njerëz të grupmoshave të ndryshme, por sidomos fëmijët që nuk janë në marrëdhënie pune as në bankë, as në qeveri, as tek piramida apo të moshuarit që janë në pension, nuk e kanë hapësirën e tyre në këtë komunitet që ka kaq shumë jetë. Ndaj më në fund edhe kjo pjesë e komunitetit që nuk është në punë, pra fëmijët dhe pensionistët, kanë një ambient fantastik”.
Ndërtimi i këtij sheshi pranë Piramidës është projekti i parë i ndërhyrjeve në këtë zonë, pasi Bashkia e Tiranës ka parashikuar edhe një sërë ndërhyrjesh të tjera që synojnë ta kthejnë atë në një qendër të kulturës dhe për të rinjtë, që sipas kryebashkiakut do të fillojnë brenda këtij viti.
“Kemi filluar ndërhyrjet nga jashtë për ta transformuar Piramidën edhe nga brenda në një qendër të madhe kulturore, kryesisht me fokus të rinjtë, për ata që duan të merren me teknologjinë e informacionit, që duan të merren me art, me libra, kinematografi, teatër. Arkitekti i njohur Winy Maas, i cili ka bërë disa nga kryevepra në botë, i është bashkuar ekipit tonë për ta sjellë në platformën finale propozimin për transformimin e Piramidës. Nga një “vrimë e zezë” si nga jashtë edhe nga brenda, Piramida do të kthehet në një burim energjie”.
Për ndërtimin e sheshit dhe këndit rekreativ u përdorën materiale të certifikuara sipas standardeve të BE-së. Ndërkohë që, përveç rikualifikimit estetik të zonës së banuar nëpërmjet planifikimit dhe shtimin të gjelbërimit, një tjetër element i rëndësishëm është ndërtimi i infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.