Bonot e thesarit – Interesi për maturitetin 12 mujor bie në 2.58%
Bonot e thesarit pësuan sërish një rënie të interesave në ankandin e të martës. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot 12 mujore u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.58%, nga 2.67% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm. Nga 10.3 miliardë lekë të shpallura nga qeveria për financim, kërkesat e paraqitura në ankand ishte pak më shumë se 10.4 miliardë lekë.
Një tendencë e ngjashme u verifikua edhe në fillim të vitit të kaluar. Fillimi i vitit është një periudhë kur institucionet financiar dhe sidomos bankat kanalizojnë më shumë investime në tregun e letrave me vlerë, ndoshta edhe sepse kërkesa e sektorit privat për kredi është më e vakët. Sistemi bankar ngelet mjaft likuid dhe raporti mesatar mes kredive dhe depozitave, për monedhën lek është rreth 58%.
Megjithatë, në vitet e fundit kredia në lekë po rritet, ndërsa e njëjta gjë nuk po ndodh me depozitat, ku rritja ka ardhur kryesisht në euro. Rrjedhimisht, likuiditetet e lira në monedhën vendase mund të pakësohen dhe sistemi bankar mund të investojë më pak fonde në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare. Për ekspertët, skenari më i ngjashëm ngelet një rritje graduale e interesave të letrave të borxhit qeveritar.
Ersuin Shehu/SCAN
Burimi: Banka e Shqipërisë
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.