Britania rifiton vrull – Ekonomia rimëkëmbet në T2, Brexit zbeh perspektivën
Ekonomia britanike ka rifituar vrull në tremujorin e dytë, pas një ngadalësimi të mprehtë në fillim të vitit, megjithatë vetëm për muajin Qershor është ngadalësuar. Kjo tregon performancën e luhatur përpara ndarjes nga Bashkimi Europian në më pak se 8 muaj.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.4% në tremujorin e dytë, në linjë me projeksionet, sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Statistikave në Londër. Rritja vjetore e ekonomisë u përshpejtua lehtë në 1.3% në tremujorin e dytë, sipër nivelit më të ulët në 6 vite prej 1.2%, që u regjistrua në tremujorin e parë.
Paundi, që ka pësuar goditje në javët e fundit prej shqetësimeve të një Brexit pa marrëveshje, nuk ndryshoi shumë pas publikimit të të dhënave. Ekonomia e Britanisë është ngadalësuar që prej vitit 2016, ku u votua për të dalë nga Bashkimi Europian dhe pritet të vazhdojë në këtë ritëm, ndërkohë që Brexit po afron.
Megjithatë, lajmërimet që ekonomia është rimëkëmbur nga fillimi i vitit, pritet të sigurojë Bankën e Anglisë, që rriti normën bazë të interesit në 0.75% javën e kaluar.
Qeveria britanike nuk ka arritur ende në një marrëveshje të divorcit me Brukselin dhe ka shtuar planifikimet për mundësinë e daljes pa një dakordësi zyrtare. Zyra e Statistikave deklaroi se ekonomia ka marrë nxitje në tremujorin e dytë nga shitjet me pakicë dhe sektori i ndërtimit, që patën rënie në tremujorin e parë prej motit të pazakontë.
Megjithatë, manifaktura ka vazhduar tkurrjen që prej fundit të 2017-ës. Vetëm për Qershorin, ekonomia u rrit me 0.1%, shumë poshtë projeksioneve. Rritja ekonomike gjatë periudhës mori nxitje kryesisht nga sektori i shërbimeve.
Sipas zyrës së Statistikave, tregtia neto solli barrën më të madhe për ekonominë, që prej tremujorit të tretë 2016.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.