“Britania të ndajë mendjen!” – Tusk, Juncker: Do ketë qartësime, por jo rinegociata
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, tha se Bashkimi Europian ka ofruar t’i japë Britanisë më shumë sqarime për marrëveshjen e Brexit, por që nuk do të ri negociojë traktatin apo protokollin mbi kufirin e Irlandës.
Në një fjalim në Parlamentin Europian në Strasbourg, Juncker tha se është i habitur me paaftësinë e Theresa May për të kaluar paketën e rënë dakord muajin e kaluar me Bashkimin Europian. Duke thënë se do të takojë Theresa May në Bruksel përpara samitit të Bashkimit Europian ditën e Enjte, Juncker shtoi se marrëveshja që u ra dakord ishte më e mira e mundshme dhe se nuk ka hapësirë për negociata.
“Marrëveshja që arritëm është më e mira e mundshme. Është e vetmja, kështu që nuk mund të ri negociohet. Megjithatë, ka hapësirë për të dhënë qartësi të mëtejshme dhe interpretime të tjera pa hapur marrëveshjen e Brexit. Të gjithë duhet të dijnë se marrëveshja nuk mund të rihapet.” – tha Jean-Claude Juncker, Presidenti i Komisionit
Juncker përsëriti se asnjë palë nuk kërkon të përdorë masën “parandaluese” që do të mbajë Britaninë në bashkimin doganor të Europës, nëse dështon të arrihet një mënyrë më e mirë për të shmangur kontrollin e ashpër kufitar mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës anëtare në BE.
“Problemi më i madh është masa parandaluese për Irlandën. Ne do të bëjmë çdo gjë të jetë e mundur që mos të ndodhemi në një situatë në të ardhmen ku do të duhet të përdorim këtë masë.” – deklaroi ai.
Të njëjtat komente erdhën edhe nga presidenti i Këshillit, Donald Tusk, i cili tha se liderët e BE nuk do të ri negociojnë Brexit, përfshirë paktin për kufirin e Irlandës. Tusk Paralajmëroi se Europa do të nisë përgatitjen për daljen pa marrëveshje, ndërkohë që përballet me një Britani të paaftë për të arritur një shumicë mbi Brexit që dëshiron.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.