Britanikët: Jo daljes nga BE – Nëse do t’i jepej mundësia, do të votonin 59% për të qendruar
Britanikët do të votonin me 59% për të qëndruar në Bashkimin Europian, nëse do t’i jepej mundësia, sipas një sondazhi që pati mbështetjen më të madhe publike për anëtarësinë në BE, që prej vitit 2016.
Në referendumin e Qershorit 2016, 17.4 milionë votues, apo 51.9%, mbështetën daljen nga Bashkimi Europian, ndërsa 16.1 milionë apo 48.1%, ishin pro qëndrimit.
Sondazhet treguan se 59% e votuesve do të qëndronin, kundrejt 41% për të dalë. Zbulimet u publikuan nga një raport akademik këtë javë, nga firmat e hulumtimit NatCen dhe “UK in a Changing Europe”.
Britania pritet të dalë nga Europa në Mars të 2019-ës, por nuk ka arritur ende një marrëveshje për marrëdhënien që do të ketë me Brukselin dhe të manaxhojë ndikimin ekonomik të përfundimit të 4 dekadave në bllokun tregtar. Qeveria ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së një referendumi të dytë.
Në sondazh, u intervistuan 2,048 subjekte nga data 7 Qershor në 8 Korrik. Kjo tregon se sondazhi nuk reflekton reagimet nga publikimi i strategjisë së negociatave nga Kryeministrja Theresa May. Strategjia ka ndarë partinë konservatore dhe ka tërhequr kritika nga mbështetësit e BE dhe ata që duan të dalin gjithashtu.
Megjithatë, sipas sondazhit, votuesit mendojnë se negociatat do të dështojnë. Sipas përgjigjeve, të gjithë kanë shprehur kritika si nga ana e Qeverisë Britanike, ashtu edhe nga Brukseli, për manaxhimin e negociatave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.