Bursat, sërish nën presion – Indeksi i Madridit rifiton një pjesë të humbjeve
Bursat europiane po gjenden nën presion edhe në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët janë të fokusuar tek tensioni politik në Spanjë.
Indeksi pan-Europian Stoxx 600 është në rënie me rreth 0.15%, ndërsa sektori i ndërtimit dhe materialeve është ndër performuesit më të dobët, pasi shefi ekzekutiv i kompanisë Assa Abloy, po konsideron dorëheqjen nga ky post.
Për këtë arsye, aksionet e kompanisë suedeze janë në rënie me rreth 5%. Edhe sektori bankar europian është nën presion, për shkak të destabilitetit politik në Spanjë dhe lajmeve se, Banka Qendrore Europiane do të kërkojë më shumë kolateral për bankat në Eurozonë për të mbuluar kreditë me probleme.
Ndërkohë, sektori i shërbimeve ka rikuperuar një pjesë të humbjeve të sesionit të kaluar. Kompania EDF është në rritje me rreth 4%. Edhe sektori i automjeteve po tregtohet në rritje, pavarësisht të dhënave të dobëta mbi shitjet e makinave në Mbretërinë e Bashkuar.
Të dhënat treguan se, shitja e makinave të reja ra me 8.8%, gjatë shtatorit, krahasuar me shtatorin e vitit 2016. Ndërkohë, aksionet në Spanjë kanë rikuperuar një pjesë të humbjeve të tre sesioneve të fundit, pasi investitorët kanë përfituar nga çmimet e ulëta të aksioneve.
Megjithatë, kujdesi është i lartë, pasi qeveria rajonale e Katalonjës do të deklarojë pavarësinë nga Spanja të Hënën.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.