Bypass-i i Fierit – Në gusht hapen ofertat, brenda shtatorit nisin punimet
Brenda shtatorit pritet të nisë puna për Bypassin e Fierit, pas hapjes së ofertave më 6 gusht. Deklarata ka ardhur nga kryeministri, Edi Rama, gjatë çeljes së kantierit të punimeve të Bypass-it të Tepelenës, ku sipas tij, për shkak të procedurave kjo mund të realizohet në rastin më të keq në muajin tetor të këtij vitit.
“Në fillim të gushtit hapen edhe ofertat dhe jemi besimplotë që brenda shtatorit dhe në rastin më të keq, për shkak të procedurave që asnjëherë nuk mund të parashikohen një për një, sepse mund të ketë edhe ankimime e reklamime, në tetor do të nisë puna, për të mos u ndalur më, e bypass-it të Fierit do të jetë gati për sezonin e ardhshëm turistik, ai i Vlorës që është një vepër më komplekse dhe do të marrë edhe pak kohë më shumë sesa ai i Fierit”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, shtoi më tej se këto dy projekte tashmë janë në procesin e rilidhjes së kontratave, pas anulimit të kontratave ekzistuese dhe rimodelimit të skemës së financimit të tyre në bashkëpunim me Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
I pranishëm në inaugurimin e punimeve të Bypass-it të Tepelenës, ministri Damian Gjiknuri tha se Bypass-et e Fierit dhe Vlorës do të sjellin një ndryshim të madh për të gjithë trafikun. Ndërkohë, shtoi më tej se do të ketë një ndërhyrje totale në të gjithë rrjetin rrugor për rehabilitimin e tyre.
“Ky do të jetë një ndryshim i jashtëzakonshëm për gjithë trafikun, sidomos për zonën turistike të Jugut, por mbi të gjitha për këtë nyje të rëndësishme kombëtare (Bypass-in e Tepelenës) që lidh Greqinë me pjesën tjetër të Shqipërisë, sepse kjo rrugë ku jemi është shumë e lidhur me përfundimin e Bypass-it të Fierit”, tha Gjiknuri.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.