Cili do të jetë roli i ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes? Nga hetimi i ankesave te platforma elektronike për biznesin
Kabineti qeveritar ka në përbërje tashmë një ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato. Por cilat do të jetë përgjegjësitë dhe detyrat e ministres?
Referuar vendimit të miratuar nga qeveria, misioni i ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është të ndihmojë dhe të mbrojë sipërmarrjen private, që ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, si dhe të promovojë bashkëpunimin ndërinstitucional në funksion të përmirësimit të shërbimeve publike ndaj sipërmarrjes.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes e ushtron veprimtarinë e tij në këto fusha përgjegjësie shtetërore:
a) Investigon dhe trajton ankesat administrative të sipërmarrjeve private, përfshirë ato të investitorëve strategjikë dhe/ose të huaj, kundrejt institucioneve publike, të cilat përfshijnë institucionet publike të pushtetit qendror, vendor, shoqërive publike si dhe të zyrtarëve të tyre;
b) Promovon transparencën dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, për përmirësimin e shërbimeve publike, si dhe asiston sipërmarrjen në mbrojtjen e të drejtave të tyre ligjore të lidhura me aktivitetet e tyre sipërmarrëse, kundrejt institucioneve publike;
c) Ndërmjetëson komunikimin e sipërmarrjes me institucionet publike për zbatimin e kontratave, si dhe zhvillon mekanizma të zgjidhjes paraprake të mosmarrëveshjeve midis tyre;
ç) Inkurajon zhvillimin e partneritetit dhe komunikimit midis institucioneve publike dhe sipërmarrjeve si dhe organizatave përfaqësuese të tyre.
Për këtë qëllim, ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes do të krijojë platformën elektronike të ndërveprimit me sipërmarrjen për komunikimin dhe gjurmimin e ankesave të tyre, regjistrin e komunikimit të brendshëm të trajtimit të ankesave, përmes së cilit monitoron procesin ndërinstitucional dhe i raporton Kryeministrit çdo fillim muaji si dhe rregulloren e procedurës së brendshme, e cila detajon procedurën e regjistrimit dhe të pranimit të ankesave, komunikimit dhe të investigimit të çështjeve të pranuara me institucionet e lidhura publike, mbledhjes së evidencave dhe të informacionit të nevojshëm nga institucione të pushtetit qendror ose vendor, shoqërive publike dhe/ose personave të tretë, komunikimit midis institucioneve publike dhe të sipërmarrjes që ka kryer ankimimin si dhe raportimit dhe publikimit të statusit të ankesave të trajtuara.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, nuk do të trajtojë çështje për të cilat është hapur një çështje gjyqësore, dhe/ose ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.