Covid-19 nuk ndal azilantët shqiptarë – Shifra përgjysmohet gjatë Marsit, por 518 individë kërkuan statusin e refugjatit
Pavarësisht se, më shumë se gjysma e muajit Mars ka qenë me kufijtë e mbyllur, kjo nuk ka penguar azilantët shqiptarë që të trokasin në dyert e Europës. Janë 431 shqiptarë të cilët kanë aplikuar për herë të parë për azil në një prej 27 vendeve të Bashkimit Europian gjatë muajit mars, 518 në total, bashkë me ripërtëritësit, thonë shifrat më të fundit të Zyrës Europiane për Mbrojtjen e Azilantëve.
Shifra është thuajse sa gjysma e muajit paraardhës. Shqiptarët ndërkohë figurojnë në listën e ripërtëritësve më të mëdhenj. Vijnë pas Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Rusisë, Kosovës dhe Moldavisë, me më shumë se 20% secili. Sipas Zyrës Europiane të Mbrojtjes së Azilantëve, kjo vjen kryesisht si pasojë e normave të ulta të pranimit të kërkesave për këto vende. Të dhënat tregojnë gjithashtu se gjatë muajve të parë të këtij viti, pra në Janar, Shkurt, Mars, shifrat e shqiptarëve që presin dyerve të Europës është më shumë se përgjysmuar, nga rreth 13 mijë në Dhjetor të vitit të kaluar, në rreth 500 në mars të këtij viti.
Muaji Mars ndërkohë ka ngadalësuar edhe normën e përgjigjeve pozitive, gjë që lidhet me rënien e fluksit hyrës të kërkesave por ndoshta edhe me operimin jo në kapacitet të plotë si pasojë e gjendjes së emergjencës në shumicën e shteteve europiane. Shifra e përgjigjeve negative gjithashtu është përgjysmuar gjatë marsit.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.