Credins rritet me 10% – 9 mujori, totali i aktiveve arrin në 174 mld lekë
Credins Bank konfirmoi rritje me ritme të larta edhe për tremujorin e tretë të vitit. Sipas treguesve financiarë të publikuar nga banka, në fund të muajit shtator totali i aktiveve arriti vlerën e afro 174 miliardë lekëve, në rritje 10% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Credins Bank është banka e tretë më e madhe në tregun shqiptar, me një pjesë tregu që vlerësohet në afro 12% të aktiveve totale të sistemit bankar. Rritja e bankës edhe gjatë këtij viti po mbështetet, në një masë të madhe, në zgjerimin e kreditimit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Credins, portofoli neto i kredisë në fund të shtatorit ishte 98.5 miliardë lekë në rritje vjetore me 4.7%. Portofoli vazhdon të dominohet nga huadhënia për biznesin, ku peshën kryesore e zënë tregtia dhe ndërtimi.
Rritja është edhe më e lartë në krahun e depozitave, që gjatë një viti janë shtuar me 9%. Credins mban depozita të publikut në vlerën e 147.5 miliardë lekëve ose 1.1 miliardë eurove.
Edhe performanca financiare e bankës është në përmirësim gjatë vitit 2017. Për nëntëmujorin, fitimi neto kishte vlerën e 254 milionë lekëve, 3.4 herë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.