Credins vazhdon rritjen në vend
Credins Bank u rrit edhe në tremujorin e tretë të vitit. Sipas treguesve financiarë të publikuar nga banka, në fund të shtatorit, totali i aktiveve arriti vlerën e afro 210 miliardë lekëve ose rreth 1.71 miliardë eurove.
Aktivet e bankës janë rritur me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Credins është banka e tretë më e madhe në Shqipëri dhe mban rreth 14.5% të tregut. Në fund të muajit shtator, Credins Bank kishte 58 degë dhe gjithsej 920 punonjës.
Kredia për sektorin privat të ekonomisë shqiptare ngelet shtylla kryesore e aktivitetit të Credins Bank. Në fund të shtatorit, Credins kishte një portofol kredie neto në vlerën e rreth 101 miliardë lekëve, 4.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në dy vitet e fundit, rritja e huadhënies ka qenë më e kujdesshme dhe banka e ka diversifikuar strukturën e aseteve, duke rritur investimet në instrumente me rrezik të ulët, kryesisht obligacione qeveritare.
Sidoqoftë, huadhënia ngelet dukshëm zëri dominues në strukturën e aseteve të bankës. Që nga qershori, Credins është edhe banka më e madhe kreditore e ekonomisë shqiptare me pothuajse 19% të portofolit total të huasë. Cilësia e portofolit është gjithashtu në përmirësim dhe raporti i kredive me probleme është ulur me rreth 4 pikë përqindje krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.
Edhe këtë vit, trendi i depozitave është në rritje. Vlera totale e tyre në fund të shtatorit ishte 182 miliardë lekë ose rreth 1.5 miliardë euro. Depozitat u rritën me 12.1% krahasuar me një vit më parë, rritje kjo disa herë më e lartë se mesatarja e sistemit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.