Dalje e jashtëzakonshme e kryeministrit: Shqipëria të bëhet gati për përballjen me pasojat e krizës energjetike globale! Do ketë rritje çmimesh
Në një dalje të jashtëzakonshme për mediat, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se Shqipëria do të përballet me pasojat e një krize energjetike globale, që tashmë kanë nisur të prodhojë rritje të fortë të çmimit për gazin, naftën e energjinë. Po ashtu, impakti pritet edhe në disa produkte bazë . “Temperatura e kësaj krize po rritet” tha kryeministri në daljen për mediat.
“Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë. Nuk është as tërmet, as virus, as përmbytje dhe lavdi Zotit, nuk kërcënon jetë njerëzish. Por në aspektin ekonomik e social ka një energji negative që mund të ketë efekte gjithaq tronditëse, mbi jetën e familjeve, bizneseve, shoqërisë.
Kjo, është kriza e jashtëzakonshme energjitike, e cila vetëm sapo ka nisur, të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia.Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit, po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës edhe për ngrohje” tha kryeministri.
Duke e cilësuar si një sprovë të ngjashme me termetin dhe pandeminë, kryeministri tha se shumë vende po përballen me dukurinë e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si edhe trendi i fortë i rritjes së çmimit të naftës, shoqëruar me një rritje të përgjithshme çmimesh të prodhimeve të konsumit të përditshëm.
“Rritja eksponenciale e kërkesës konsumatore, pas hapjes së ekonomisë si rezultat i vënies nën kontroll të pandemisë, ka rritur eksponencialisht edhe kërkesën e industrive prodhuese për energji, duke vënë në vështirësira shumë serioze edhe vetë kolosët ekonomikë të planetit; që nga Kina, ku mungesa e kapaciteteve energjitike të nevojshme për përballimin e kësaj kërkese, kërcënon afro gjysmën e kapaciteteve industriale të atij vendi, deri në Europë, ku kërkesa e lartë dhe oferta e pamjaftueshme për gaz, ka detyruar qeveritë të përballen me rritje marramendëse çmimesh e të paralajmërojnë, deri edhe politika kufizimesh në furnizimin me energji elektrike.
Ritmet e larta të rimëkëmbjes nga pandemia dhe nevoja e tejrritur për energji, e kanë rritur çmimin e gazit me rreth 250%, atë të karbonit me rreth 80%, ndërkohë që çmimi i naftës ka kërcyer lart, nga rreth 60$ për fuçi në Gusht të 2021, tek rreth 80$ në momentin që flasim dhe sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë në $100 për fuçi deri në fund të vitit.
Për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar. Në bursën HUPX, energjia elektrike është tregtuar me mesatarisht 39 eur/Mwh vitin e shkuar, ndërsa sivjet ky çmim ka arritur shifrën e 110 eur/Mwh, duke shënuar një rritje prej 182%. Për shumë studiues e analistë financiarë, kjo krizë energjie është e ndryshme nga të tjerat. Ajo lidhet kryesisht me ndryshimet klimatike dhe përpjekjet për t’i frenuar ato, por po ashtu edhe me një kombinim faktorësh të tjerë” vijoi kryeministri.
Sipas kryeministrit, ekspertët mendojnë se pavarësisht implikimeve të mundshme sistemike, që kriza e jashtëzakonshme energjitike mund të ketë mbi të gjitha vendet, beteja kulmore do të zhvillohet dhe do të vendoset, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.
“Dhe përgjegjësia e detyra numër një e qeverisë shqiptare, është të mbrojë medoemos dhe sido e sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël; fiks në këtë rend prioritetesh” tha kryeministri duke paralajmëruar marrjen e masave për amortizimin e efekteve.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.