Deklarata për ndryshimin e kasave fiskale, reagon Ministri i Financave: Ja çfarë parashikon Vendimi i Këshillit të Ministrave!
Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka reaguar pas deklaratës së deputetit të PD-së Endri Hasa që deklaroi se ekziston një Vendim i Këshillit të Ministrave që praktikisht skualifikon kasat fiskale ekzistuese duke rritur koston për biznesin me 600-1 000 euro.
“Për qytetarët që meritojnë të sqarohen, Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 651, datë 31.10.2018, nuk ka të bëjë aspak me kasat fiskale të bizneseve, por lidhet vetëm me sistemet fiskale për kontrollin e sasive në shoqëritë e hidrokarbureve dhe të shitjes së tyre me pakicë.
Së pari, ka një ndryshim thelbësor mes “sistemeve fiskale” dhe “kasave fiskale” dhe së dyti, efekti i kësaj VKM-je shtrihet vetëm mbi rreth 3 mijë sisteme fiskale të lidhura me sektorin hidrokarbur dhe aspak mbi rreth 145 mijë kasa apo pajisje fiskale që përdoren nga bizneset e tjerë në Republikën e Shqipërisë.
Ky standard i ri që aplikohet për shoqëritë e hidrokarbureve, është një hap më tej për forcimin e kontrollit dhe të monitorimit të këtij sektori të rëndësishëm duke mbyllur hapësirat potenciale për evazion.
Monitorimi i depozitave të tregtuesve me shumicë do të behët në mënyrë automatike duke raportuar sasinë e karburantit periodikisht si dhe duke rakorduar hyrje-daljet në të . Po kështu mundësohet monitorimi i depozitave të pikave fundore të shitjes së karburantit si dhe raportimi në kohë reale i shitjeve fundore të tyre. Në këtë mënyrë, bëhet një monitorim i plotë i lëvizjeve të sasive të karburantit dhe një rakordim më i saktë i sasive të tregtuara në vend në kohë reale!
Këto ndryshime, janë një instrument i duhur në favor të administratës fiskale, për të adresuar më mirë administrimin e një sektori shumë të rëndësishëm për të ardhurat publike” ka deklaruar Ahmetaj në një postim në rrjetin social Facebook.
Më herët, deputeti i PD-së Endri Hasa deklaroi se çdo biznes duhet të bëhet gati për të nxjerrë nga xhepat nga 600 – 1000 euro si faturë për vendimin e qeverisë për sistemin e menaxhimit të faturimit të bizneseve.
“Paralajmërimi i Partisë Demokratike, që kur denoncoi për herë të parë aferën korruptive, duke deklaruar edhe fituesin e paracaktuar kroat, tani është bërë realitet. Ministri i Korrupsionit, Arben Ahmetaj, mund të bëjë propagandë nga mëngjesi deri në darkë dhe të gënjejë paturpësisht shqiptaret se kasat fiskale nuk do të ndryshojnë, por e vërteta është se pak ditë më parë qeveria ka miratuar një vendim që, praktikisht, skualifikon kasat ekzistuese.
Aktualisht, kasat fiskale janë të programuara të transmetojnë të dhëna vetëm 1 herë në ditë, kur biznesi mbyll xhiron, por me VKM Nr. 651, qeveria ka ndryshuar karakteristikat teknike për pajisjet fiskale, duke futur si kriter shtesë – “transmetimin e çdo shitjeje në kohë reale në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”. Kërkesat e sistemit të ri detyrojnë çdo biznes që të heqë kasat dhe sistemet elektronike që ka sot, për të blerë pajisjet e reja që mundësojnë transmetim të çdo shitjeje në kohë reale” deklaroi deputeti i PD-së. Sipas tij, fatura për bizneset llogaritet të kushtojë nga 80-100 milionë euro.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.