Dëmet në sigurime – Këtë vit janë në rënie me 3.6%
Ky vit deri tani është i mbarë për siguruesit; megjithëse tregu nuk shënon zhvillime domethënëse sa i takon përmasave, të paktën ata po paguajnë më pak dëme. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dëmet për 10-mujorin ranë me 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Raporti mes dëmeve dhe primeve ka zbritur sërish nën 30%; për Shqipërinë ky është normalitet, por për shumicën e tregjeve të tjerë europianë është një raport jo normal. Linjat e guidës së mbikëqyrësve parashikojnë se të paktën 50% e primeve duhet të shkojnë për të paguar dëme, ndërsa në Shqipëri pjesa më e madhe e shpenzimeve të kompanive shkojnë për nevojat e tyre operative dhe për komisione shitjeje.
Për shembull, sigurimi i detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta ka një raport mes dëmeve dhe primeve në masën 25%, nivel tejet i ulët, po të kemi parasysh risqet e larta me të cilat është i lidhur ky lloj sigurimi. Nga ana tjetër, kompanitë vazhdojnë të kenë miliona euro detyrime ndaj fondit të kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve. Disa prej këtyre detyrimeve janë të bartura prej më shumë se 15 vjetësh. Sipas vlerësimeve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare këtë verë, detyrimet arrinin në rreth 17 milionë euro.
Vitin e kaluar, kompanitë e sigurimit të jo-jetës realizuan një fitim neto prej 7.5 milionë eurosh.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.