Dëmtimi i banesave nga fatkeqësitë natyrore- Ndryshon ligji, si do të jepet ndihma financiare për të prekurit
Kuvendi pritet të miratojë një ligj të ri për mbrojtjen civile. Nisma ligjore në thelb parashikon zgjidhjen e disa problematikave që konstatohen me ligjin aktual, në kushtet e fatkeqësive natyrore. Në këtë mënyrë, me ligji e ri, shteti shqiptar merr më shumë përgjegjësi në rastet e fatkeqësive natyrore dhe si ristrukturon terësisht sistemin e mbrojtjes civile në vend.
Referuar relacionit të nismës së depozituar në Kuvend, çdo ministri dhe bahski duhet të përcaktojë në buxhetin vjetor, një përqindje për fatkeqësitë natyrore. Në rast se një bashki nuk planifikon një fond 4 % të buxhetit për këtë qëllim, atëhere prefekti ka të drejtën që të kthejë buxhetin e miratuar.
Në relacionin e projektligjit pranohet se përsa i përket rasteve të kompensimit të familjeve të prekura nga fatkeqësitë natyrore, në rast të dëmtimit të banesave, ligji nuk ka garantuar mbështetje financiare për to.
“Dhënia e ndihmës financiare për familjet me banesa të dëmtuara nga fatkeqësitë, deri më sot është kryer në përputhje me vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.206, datë 26.3.1998, “Për kriteret për pjesëmarrjen e shtetit në përballimin e dëmeve në rast fatkeqësish”, dhe nr.329, datë 16.5.2012, “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së ndihmës shtetërore financiare për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi natyrore ose fatkeqësi të tjera të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore”.
Pavarësisht se në të dyja vendimet e Këshillit të Ministrave parashikohej që nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore t’u jepej ndihmë financiare familjeve me banesa të dëmtuara nga fatkeqësitë, përvoja e deritanishme ka treguar se fondet e akorduara nga ana e tyre për këtë qëllim kanë qenë të papërfillshme në raport me vlerën që ato duhej të dëmshpërbleheshin dhe, për pasojë, pothuajse të gjitha dosjet dërgoheshin për trajtim pranë pushtetit qendror. Kështu, për periudhën 2014-2017, përqindja e dëmshpërblimit të akorduar nga bashkitë dhe komunat për familjet me banesa të dëmtuara nga fatkeqësitë e ndryshme është 0.008% e vlerës totale” shkruhet në relacion.
Ndaj, parashikimi ligjor i përmendur, në veçanti për bashkitë që të planifikojnë fondin për ndihmën financiare për familjet me banesa të dëmtuara nga fatkeqësitë është bërë me qëllim që t’i shërbehet më mirë dhe më shpejt qytetarit me banesë të dëmtuar nga fatkeqësia, të shmangen procedurat burokratike dhe abuzimet me tendencë rritjeje të vlerës së preventivit të dëmit të shkaktuar, të menaxhohen më mirë fondet financiare, si dhe të forcohet dhe të rritet roli i njësive të vetëqeverisjes vendore në drejtim të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe të mbrojtjes civile.
Po ashtu, në projektligj një nen i është kushtuar të drejtës së kompensimit. Sipas këtij neni shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie. Dëmet si rregull përballohen nga vetë bashkitë e prekura nga fatkeqësia nëpërmjet fondit të dedikuar për mbrojtjen civile dhe vetëm në rast se vlera e kompensimit tejkalon 8% të buxhetit të bashkisë, Komisioni i Mbrojtjes Civile mund të vendosë që kompensimi të kryhet nga Agjencia Kombetare e Mbrojtjes Cicivle.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.