Kapitalizimi i bankave/Në nivele shumë të larta edhe gjatë këtij viti
Kapitalizimi i sistemit bankar shqiptar ngeli në nivele mjaft të larta edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, treguesi më i rëndësishëm rregullator, ai i mjaftueshmërisë së kapitalit, në fund të marsit rezultoi 18%, nga 16.9% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Mjaftueshmëria e kapitalit është 6 pikë përqindje më e lartë se niveli minimal i kërkuar nga rregullorja përkatëse e Bankës së Shqipërisë.
Ky tregues mat raportin mes kapitalit rregullator dhe aktiveve me rrezik të bankave, kryesisht kredive dhe investimeve të tjera. Një raport i lartë i mjaftueshmërisë së kapitalit tregon se sistemi bankar ka mjaftueshëm fonde të vetat për të mbuluar rreziqet e investimit të marra përsipër.
Në vitin e fundit, rritja e treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit ka ardhur sidomos në krahun e emëruesit të raportit, ose e thënë ndryshe në vlerën e aktiveve të ponderuara me rrezik. Vlera e këtyre aktiveve ka rënë në 766 miliardë lekë, nga 850 miliardë lekë që kishte qenë një vit më parë.
Vitin e kaluar u shfuqizuan disa prej masave që iu vendosnin bankave koeficientë më të lartë rreziku për investimet jashtë vendit. Kjo solli si rezultat uljen vlerës së këtyre aktiveve dhe rritjen e nivelit të kapitalizimit të sektorit bankar.
Në nivele të larta paraqitet edhe gjendja e likuiditetit. Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti mes aktiveve likuide, me maturim deri në një vit dhe detyrimeve afatshkurtra me të njëjtin maturitet, në fund të marsit arriti nivelin rekord 48%, në rritje me rreth shtatë pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Ky raport aktual është gati dy herë e gjysmë më i lartë se minimumi prej 20%, i parashikuar në rregulloren për administrimin e rrezikut të likuiditetit. Një nivel i lartë likuiditeti nënkupton se bankat kanë aftësi të mjaftueshme për t’ju përgjigjur tërheqjeve të mundshme të fondeve të depozituara nga klientët.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.