Denaj prezanton projekt-buxhetin në Parlament: Buxheti i rimëkëmbjes ekonomike, mirëqenie për qytetarët
“Qeveria Shqiptare është e vendosur të arrijë objektivin e saj madhor që e shpreh përmes këtij projektbuxheti, për rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike dhe rikthimin në parametrat normalë të rritjes. E gjithë kjo, natyrshëm përkthehet në një mirëqenie më të lartë ekonomike dhe sociale për qytetarët e vendit tonë”. Kështu e perifrazoi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë prezantimit para deputetëve të kuvendit dhe për gjithë qytetarët, projektbuxhetin e 2021.
“Kryefjala e këtij projektbuxheti është “Rimëkëmbja Ekonomike”. Kjo në vazhdën e përpjekjeve për të tejkaluar me sukses pasojat negative të dy fatkeqësive natyrore, që goditën vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme. Treguesit negativ të rritjes ekonomike kanë prekur gjithë vendet e botës dhe ne nuk mund të jemi imun ndaj zhvillimeve të pandemisë, teksa i afrohemi fundit të vitit. Ulëm pritshmërinë mbi rritjen ekonomike, e cila në fund të vitit 2020 parashikohet të jetë në nivelin -6.1%, por parashikojmë rritje në terma pozitive në vitin në vijim, që do të ketë një rritje prej 5.5%, duke e rikthyer dukshëm ekonominë shqiptare drejt trendit të rritjes së qëndrueshme”, u shpreh ministrja Denaj.
Sipas ministres, besimi bazohet, jo vetëm në faktin se situata është e menaxhuar mirë dhe fondamentet bazë të ekonomisë janë të qëndrueshëm dhe solid. Të gjitha këto, tha ministrja, ishin dhe në vlerësimin më të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare Moody’s, që konfirmoi ditët e fundit vlerësimin B1 dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Ky buxhet do të mbështesë sektorët prioritarë dhe më të ndjeshëm në anën sociale si: shëndetësi, arsim, bujqësi, rindërtim dhe infrastrukturë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.