Deti “udhëheq” tregtinë e mallrave – 870 mld lekë shkëmbime në 11 muaj
Më shumë se gjysma e shkëmbimeve tregtare të vendit realizohet përmes rrugëve detare, duke lënë shumë pas transportin, ajror dhe hekurudhor. Sipas shifrave zyrtare të INSTAT, në Nëntor 2018, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 83 mld lekë dhe 50,7 % e tyre u transportua me det. Ndërsa në 11 muaj të vitit, janë tregtuar 870 mld lekë mallra dhe 53,6 % e tyre u transportua përmes detit.
Referuar raportit të tregtisë së jashtme, në 11-mujorin e vitit 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 289 mld lekë, duke u rritur me 15,0 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 581 mld lekë, duke u rritur me 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 292 mld lekë, duke u ulur me 7,0 %, krahasuar me 2017. Gjatë periudhës Janar-Nëntor 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (3,2 %), Kosova (28,2 %) dhe Spanja (66,4 %).
Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kina (-34,3 %), Ukraina (-47,1 %) dhe Rusia (-24,1 %). Duke iu referuar të njëjtës periudhë, Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, me Turqinë (4,4 %), Greqinë (3,6 %) dhe Kinën (9,0 %). Ndërsa ka blerë më pak mallra nga Italia (-1,1 %), Gjermania (-2,8 %) dhe Zvicra (-27,7 %).
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.