Diskriminim gjinor – Pavarësisht kualifikimeve, gratë paguhen më pak
Gratë në Kosovë, pavarësisht kualifikimeve arsimore dhe përvojës së punës, ato paguhen më pak se sa kolegët e tyre meshkuj, thonë përfaqësues të punëtorëve.
Kjo dukuri aplikohet në sektorin privat dhe atë publik dhe kërkon trajtim të veçantë, thotë Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatës së Pavarur të Kosovës, duke shtuar se në këtë mënyrë po diskriminohet gjinia femërore, respektivisht po demotivohen që të kërkojnë punë.
“Është e vërtetë që janë të diskriminuara në tregun e punës, siç janë paga më të ulëta, pushimet, punësimet, e edhe te marrja pjesë në institucione. Ne kemi kërkuar vazhdimisht nga institucionet kompetente që pozicioni i gruas duhet të jetë prezent ashtu siç i takon me ligj dhe mos të diskriminohen”, thotë Arifaj.
Në Kosovë gratë përfaqësojnë gjysmën e popullatës së përgjithshme, por pavarësisht kësaj, në tregun e punës, sipas shifrave zyrtare, vetëm 12 për qind e tyre punojnë. Edhe ato konsiderojnë se barriera kryesore mbetet niveli i ulët i pagës, por edhe paga më e ulët se për burrat.
Në anën tjetër, në një raport të publikuar nga Instituti “Riinvest”, thuhet se nga përqindja e përgjithshme e grave të punësuara, 54 për qind prej tyre janë të punësuara në sektorin privat dhe 41 për qind në sektorin publik, shkruan REL.
Në këtë raport thuhet, se gratë e punësuara në sektorin publik, në 78 për qind të rasteve besojnë se ato paguhen njëjtë si burrat për punën e njëjtë dhe 8 për qind nuk besojnë se paguhen njëjtë.
Por, në sektorin privat, vetëm 51 për qind e grave besojnë se ato paguhen njëjtë si burrat në pozitën e njëjtë, kurse 19 për qind janë të sigurta që burrat paguhen më shumë për punën e njëjtë.
Kurse, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se numri i ulët i grave të punësuara, ka bërë që ato të paguhen më pak për të njëjtën pozitë dhe orar të punës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.