Dita e Vetëpunësimit në Kosovë – Panair me përfituesit nga programi i vetëpunësimit
Në ditën e Vetëpunësimit në Prishtinë është mbajtur një panair njëditor ku morën pjesë 100 biznese dhe rreth 300 të punësuar që kanë përfituar nga grantet e programit të vetëpunësimit.
Sipas Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, programi ka arritur të nxisë edhe sipërmarrësit.
“Ky projekt për dy vjet ka nxitë ndërmarrësinë dhe ky ka qenë qëllimi kryesor i joni si Ministri të promovojmë sa më shumë ndërmarrësinë, sepse mendoj që ka potencial shumë të madh, i cili mund të punohet në Kosovë. Jam i lumtur që sot po e konkretizojmë punën tonë në një panair të vogël ku shihen disa prej projekteve të cilat kanë përfituar dhe janë projekte modele të cilat ne mendojmë t’i replikojmë”, tha ministri Abrashi.
Programi në bashkëpunim me UNDP, prej vitit 2015, ka ndihmuar mbi njëqind të rinj të papunë në sipërmarrjet e tyre, përmes trajnimeve, konsulencave të marketingut si dhe mbështetjes financiare.
“Kosova është një vend i ri me njerëz të rinj dhe punësimi nuk është thjesht një projekt, është një mekanizëm për të futur të gjithë të papunët në punësim në Kosovë dhe për ta çuar Kosovën drejt rrugës së Bashkimit Evropian”, u shpreh Alessandra Roccasalvo, zëvendëspërfaqësuesja e UNDP-së në Kosovë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.