Dorëheqjet, Demiraj status në “Facebook” – Përjashton përfshirjen në qeverisjen e ardhshme
Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ka zyrtarizuar largimin e tij nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, duke bërë një përmbledhje të të gjithë punës së tij në 12 javë, si dhe bashkëpunimin me institucionet dhe mediat.
“Këto 12 javë në detyrë si Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë një nder i jashtëzakonshëm t’i shërbeja vendit, qytetarëve dhe të gjithë shtetasve që jetojnë e punojnë në Shqipëri.
Prioriteti im për tolerance zero ndaj drogës në bashkëpunimi me policinë e shtetit prodhoi disa rezultate të dukshme: 37 tonë kanabis i sekuestruar, 40 mijë rrënjë kanabis të shkatërruara, 13 skafe të konfiskuara dhe mbi 75 veta të arrestuar për kultivim dhe trafikim të lendeve narkotike. Masat për të goditur fenomenin e kanabisit kanë qenë maksimale duke i drejtuar operacionet dhe arrestimet dhe personalisht në terren dhe jo masa propagandistikë. Bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, Shërbimin Informativ dhe të gjitha institucionet e përfshira në planin e masave ka qenë shumë i lartë, intensiv dhe smart. Kontrolli absolut i territorit ka qenë dhe do të jetë detyrë që çdo individ me uniformë policore duhet të angazhohet maksimalisht”.
Demiraj thekson në fund të postimit të tij se nuk do të përfshihet në qeverinë e ardhshme.
“…mendoj se duhet të sqaroj se çdo kontribut i imi në qeverisje është bërë në funksion të realizimit të qëllimeve të treguara më lart në kuadër të detyrës time si ministër teknik, e sigurisht jo në kuadër të përfshirjes time në qeverinë e ardhshme të mazhorancës aktuale. Kam qenë dhe vazhdoj të jem i vendosur për të kontribuar në drejtimin e agjencive ligjzbatuese që merrem me çështje të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare” shkruan ai.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.