DPT thirrje bizneseve: ”Letra që keni marrë, ju sinjalizon çfarë duhet të korrigjoni!”
Drejtoria e përgjithshme e tatimeve i bën thirrje bizneseve, saktësisht sektorit të bar-restoranteve, pasi secili prej tyre që ka marrë një letër të personalizuar, ka të listuar faktorët e riskut, të identifikuar sipas deklarimeve që janë bërë.
‘’Ju bëjmë me dije se tani është momenti për të reflektuar ndaj atyre treguesve, të cilët analiza e riskut i konsideron të papërmbushur, në zbatim të ligjit. Kjo praktikë e re e ndërveprimit me tatimpaguesit, e asistuar ngushtësisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, mbështetet në vlerësimin analitik të të dhënave tuaja, të cilat konsiderohen jo të sakta dhe kanë nevojë për përmirësim.’’
Ndërkohë që janë lëshuar këto njoftime, administrata tatimore po monitoron reagimin në ndryshimin e këtyre të dhënave. Monitorimi i deklarimeve do të vijojë të bëhet automatikisht nga sistemi kompjuterik, i cili filtron të dhënat mbi bazën e analizës së riskut. Kjo praktikë përjashton çdo mundësi manipulimi apo keqpërdorimi të tagreve ligjore të punonjësve të administratës tatimore.
‘’Qëllimi i këtij procesi nuk është të penalizojmë, por t’ju bindim përmes fakteve, që ju vetë të ndërgjegjësoheni dhe të pasqyroni me vërtetësi aktivitetin tuaj. Ky komunikim përmes letrës së personalizuar që ju ka mbërritur tashmë, përmbyll fazën e parë të Planit Sektorial të bar- restoranteve, i cili do të vijojë me dy faza të tjera, sipas skedulit të miratuar në bashkëpunim me FMN-në.’’
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.