Draghi, mesazh Romës – “Mos prisni shpëtim nga BQE nëse dështon buxheti”
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, i dha një paralajmërim Romës pas prezantimit formal të buxhetit, se institucioni nuk do të ndërhyjë për ta shpëtuar. Në konferencën e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në Indonezi, Draghi tha se pritet të arrihet një marrëveshje dhe se të gjitha palët duhet të zbusin tonin e bisedimeve. Italiani në krye të Bankës Qendrore Europiane, qetësoi investitorët duke thënë se rritja e interesave të borxhit në Itali, nuk është përhapur në të gjithë tregun e obligacioneve të Europës.
Ndërsa pyetej nëse rritja e yield-it në Itali do të vështirësojë planet e normalizimit monetar nga institucioni, Draghi tha se nuk mund të spekulojë për këtë por që ka besim se të gjitha palët do të arrijnë në një kompromis. Ai shtoi se situata është dramatizuar më shumë se ç’duhet dhe se nuk është hera e parë që ndodhin të tilla devijime nga rregullat në Europë. Investitorët shqetësohen se Italia mund të provojë fatin dhe të thyejë rregullat e buxhetit të Bashkimit Europian, me argumentin se nuk do të marrë gjoba ose që do të ketë mbështetjen e BQE nëse tregjet financiarë pësojnë rënie.
Draghi shtoi se kjo nuk është një alternativë. Sipas presidentit të Bankës Qendrore Europiane, rreziku më i madh i diskutuar në takim, ishte tkurrja monetare në të gjithë botën dhe riçmimi i shpejtë i aktiveve. Komentet e tij erdhën një javë pas tronditjes së tregjeve mbi rritjen e normave të interesit nga Rezerva Federale.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.