BE: Drejtësia, hap integrimin – Bushati, takim me Mogherinin në Bruksel, 6 muajt vendimtarë
Hapja e negociatave me Bashkimin Europian, do të varet shumë nga reformat që do ndërmerren në 6 muaj që vijnë, sidomos në rezultatet konkrete sa i përket reformës në drejtësi.
Konkluzioni doli në konferencën e përbashkët që Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, zhvilloi pas takimit me përfaqësuesen e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, ku përveç të tjerave u vlerësua ecuria e reformave të ndërmarra.
“Reforma në Drejtësi, është çelës dhe shumë e rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sepse është proces transformues dhe që I shërben qytetarëve, biznesit dhe gjithë shoqërisë, prandaj BE I ka kushtuar vëmendje të madhe kësaj reforme. Mes të tjerash kemi diskutuar edhe për sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ku duhet të vazhdohet me reforma për ti luftuar. Jam e bindur, se 6 muajt që vijnë Shqipëria mund ti përdorë për të bërë hapa kyçe në BE. Ndërkohë kam komunikuar edhe me kryeministrin e Bullgarisë që ka presidencën e BE, për të rritur rolin e BE-së në Ballkan”, thotë Federica Mogherini, përfaqësuese e Politikës të Jashtme të BE.
Më herët u zhvillua edhe mbledhja e Këshillit të Stabilizim Asociimit, ku u vlerësua pozitivisht ecuria e Shqipërisë.
Arbër Hitaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.