Ekonomia franceze, “në formë” – Thyhen projeksionet për ngadalësim. Nxitet kërkesa e brendshme
Rritja e ekonomisë franceze theu projeksionet për një ngadalësim në tremujorin e tretë, duke treguar rritje me 0.3%, sipas zyrës kombëtare të Statistikave. Qëndrueshmëria e ekonomisë përbën lajme të mira për presidentin Emmanuel Macron, ndërkohë që ngadalësimi i aktivitetit në të gjithë botën dhe lufta tregtare kanë goditur partnerin kryesor tregtar, Gjermaninë.
Analistët projektonin një rritje me 0.2% për ekonominë e dytë më të madhe të Europës. Rritja e Produktit të Brendshëm Bruto mori mbështetje nga injektimi i fondeve publike të Qeverisë, për të nxitur shpenzimet e ekonomive familjare. Kërkesa e brendshme ishte nxitësi kryesor i rritjes ekonomike, duke shtuar 0.5 pikë tek treguesi përfundimtar, ndërkohë që tregtia neto hoqi 0.4 pikë dhe inventarët dhanë një kontribut fare të vogël prej 0.1 pikë.
Shpenzimet e familjeve franceze morën vrull, duke u rritur me 0.3% në tremujorin e tretë, ndërsa investimet e bizneseve u ngadalësuan në 0.9%, nga 1.2% që regjistruan në tremujorin e dytë. Ndikimi negativ i tregtisë neto reflektoi një rritje më të madhe të importeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.