Emigracioni në Mbretërinë e Bashkuar – Rregullat e reja për të marrë vizë pune
Rregullat e reja të emigracionit do të jenë “të thjeshta dhe fleksibël”, kanë premtuar ministrat britanikë. Nga e marta, të gjithë shtetasit e huaj, duke përfshirë edhe Bashkimin Europian, të cilët dëshirojnë të punojnë në Mbretërinë e Bashkuar duke filluar nga 1 janar 2021, do të duhet të aplikojnë në internet për një vizë.
Aplikimet për vizat e punëtorëve të aftë do të gjykohen në bazë të një sistemi pikësh, i cili modelohet në sistemin në fuqi në Australi për shumë vite. Pikët do të jepen për një ofertë pune në nivelin e duhur të aftësive në një profesion të kualifikuar, njohuri të gjuhës angleze dhe nëse aplikantët përmbushin një prag page – e cila zakonisht do të jetë së paku 25.600 paund. Kostoja e aplikimit do të jetë nga 610 paund deri në 1.408 paund dhe njerëzit do të duhet të tregojnë se kanë para të mjaftueshme për të mbajtur veten, si dhe të kenë prova të identitetit. Aplikantët do të duhet të presin rreth tre javë për të zbuluar nëse kanë qenë të suksesshëm.
Sa i takon lëvizjes së lirë nga dhe në BE do të marrë fund në 31 Dhjetor. Qytetarët e Bashkimit Europian që jetojnë tashmë në Mbretërinë e Bashkuar deri më 31 dhjetor nuk kanë pse të kalojnë në sistemin e ri, por përkundrazi, mund të aplikojnë në Skemën e Zgjidhjes së BE-së dhe kanë kohë deri më 30 qershor 2021 për ta bërë këtë, sëbashku me familjet e tyre. Nëse janë të suksesshëm, ata do të mund të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe të kërkojnë të njëjtat përfitime si shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar, nëse bëhen të papunë.
Qytetarët irlandezë nuk kanë nevojë të aplikojnë në skemë dhe nuk do të kërkojnë leje për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar, pasi Britania e Madhe dhe Irlanda janë të dyja pjesë e së njëjtës zonë të Përbashkët të udhëtimit. Nga ana tjetër, qeveria ka njoftuar se po krijon një Qendër të re Operacionesh Kufitare, e cila thotë se do të sigurojë mbikëqyrje gjatë gjithë ditës, të mallrave dhe udhëtarëve që vijnë nga portet Britanike për herë të parë.
Burimi origjinal: BBC
Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.