Fatura e Brexit – Hammond: do të prezantohet shuma përpara samitit të BE në Dhjetor
Britania do të prezantojë propozimet mbi mënyrën se si do të shlyejë faturën e divorcit me Bashkimin Europian, përpara samitit të muajit Dhjetor dhe pritet të bëjë progres në negociata, tha ministri i Financave Philip Hammond.
Zyrtarët e Bashkimit Europian i thanë Theresa May javën e kaluar se ka ende shumë punë për të bërë në mënyrë që bisedimet për Brexit të marrin vrull. “Ne do t’i paraqesim propozimet tona ndaj Bashkimit Europian brenda afatit”, tha Hammond duke i’u referuar takimit të 14 Dhjetorit të liderëve të vendeve anëtare të BE-së.
Ai foli 4 ditë përpara se të caktojë planin e buxhetit për Britaninë, ku duhet manovrojë përtej kufizimeve fiskale që të bindë votuesit se qeveria e Theresa May po trajton problemet e brendshme paralelisht me negociatat për daljen.
Javën e kaluar, May takoi liderët e Bashkimit Europian për të arritur një dakordësi mbi shumën që Britania do të duhet të paguajë për daljen nga blloku, një çështje që ka kërcënuar mosarritjen e marrëveshjeve mbi tregtinë.
May ka thënë se do ta rrisë ofertën fillestare që vlerësohet në rreth 20 miliardë euro, shifër thuajse 30% e shumës që kërkon Brukseli.
Megjithatë, ministri i Financave, Philip Hammond, që është kritikuar nga mbështetësit e Brexit, tha se Britania do të ketë një qasje të ashpër mbi shumën që detyrohet.
“Ne do të përpiqemi të arrijmë marrëveshjen më të mirë për taksapaguesit britanikë”, tha Hammond.
Mbi dakordësitë tregtare, Hammond tha se ka besim që do të arrihet një pakt, për shkak të interesit të të dyja palëve.
KLevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.