FED “siguron” ndërhyrjen e Dhjetorit – Tregjet e aksioneve thyejnë rekord, Trump mirëpret performancën
Procesverbali i takimit të muajit Shtator të Rezervës Federale tregoi se një rritje e normës bazë të interesit në fund të këtij viti është thuajse e sigurt, pavarësisht niveleve të ulëta të inflacionit.
Me lajmërimin se ekonomia e Shteteve të Bashkuara është e fortë mjaftueshëm për të përballuar ciklin tkurrës monetar, tregjet e kapitalit në Shtetet e Bashkuara arritën nivele rekord. Të tre indekset kryesorë, Dow Jones, Nasdaq dhe S&P 500, patën performancë të fortë.
Sistemi bankar qendror në SHBA mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar muajin e kaluar dhe shtoi se do të nisë reduktimin e portofolit të letrave me vlerë prej rreth 4.5 trilionë dollarë, të grumbulluar kryesisht gjatë krizës financiare.
Larry Fink, kreu ekzekutiv i manaxhuesit më të madh në botë të portofolit BlackRock, paralajmëroi se duhet shmangur një kurbë e përmbysur e yieldit, që rezulton kur normat afatshkurtra të interesit janë më të larta se ato afatgjatë.
Presidenti i Shteteve të bashkuara, Donald Trump, publikoi në Twitter mbi performancën e fortë të tregut të aksioneve, duke thënë se do të rritet me hapa gjigantë nëse realizohet reforma tatimore.
“Tregu i aksioneve ka shtuar 5.2 trilionë dollarë në vlerë që prej zgjedhjeve të 8 Nëntorit, një rritje me 25%, dhe papunësia është në nivelin më të ulët në 16 vite”, shton presidenti.
Megjithatë, kryetarja e bordit të guvernatorëve, Janet Yellen, përsëriti se trendi i inflacionit është një burim shqetësimi, pasi ka devijuar vazhdimisht nga objektivi i bankës prej 2%.
Dollari amerikan pati rënie kundër shportës së valutave kryesore, ndërkohë që investitorët monitoruan të dhënat mbi inflacionin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.