‘Financimi i luftës së Putin në Europë’: Gjermania, blerësi kryesor i energjisë ruse në 2 muajt e fundit!
Shifrat e përpiluara nga një grup i pavarur kërkimor tregojnë se Gjermania ka qenë blerësi më i madh i energjisë ruse në dy muajt e parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Studimi i publikuar nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA) llogarit se Rusia ka fituar 63 miliardë euro (66.5 miliardë dollarë) nga eksportet e karburanteve fosile që nga 24 shkurti.
Studiuesit zbuluan se vetëm Gjermania i pagoi Rusisë rreth 9.1 miliardë euro (9.65 miliardë dollarë) për dërgesat e karburanteve fosile në dy muajt pas fillimit të pushtimit të Moskës. Gjermania është përballur me kritika të forta për mbështetjen e saj në gazin dhe naftën ruse, pavarësisht paralajmërimit të aleatëve për shumë vite se kjo mund të rezultojë një rrezik për sigurinë europiane.
Sipas studimit – i titulluar “Financimi i luftës së Putin në Europë” – importuesi i dytë më i madh i karburanteve fosile të Rusisë që nga fillimi i pushtimit është Italia (6.9 miliardë euro), e ndjekur nga Kina (6.7 miliardë euro). Bashkimi Europian ishte importuesi kryesor i karburanteve fosile ruse, duke përbërë 71% ose rreth 44 miliardë euro të të ardhurave të eksportit të Rusisë, treguan të dhënat e CREA.
CREA zbuloi gjithashtu se shumë kompani të karburanteve fosile gjithashtu vazhduan të bënin vëllime të larta të tregtisë me Rusinë, duke përfshirë BP, Shell, Total dhe ExxonMobil. Studimi tregoi se vëllimet e eksporteve të Rusisë po bien ndërsa sanksionet filluan të kafshonin, por se rritja e çmimeve të karburanteve fosile po zbut efektin në të ardhurat e Moskës.
CREA rekomandoi që qeveritë dhe korporatat t’i japin fund të gjitha blerjeve për të “ndihmuar në përfundimin e luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga ushtria ruse”. Ai tha gjithashtu se qeveritë duhet të hartojnë plane për t’u larguar plotësisht nga lëndët djegëse fosile në vend që të gjejnë vetëm burime të tjera për to, duke thënë se kalimi në energji të pastër do të kishte “përfitime shumë më të mëdha ekonomike, shëndetësore dhe të sigurisë kombëtare”.
Për studimin, studiuesit përdorën të dhëna për lëvizjet e anijeve, gjurmimin në kohë reale të rrjedhave të gazit nëpër tubacione dhe vlerësime të bazuara në tregtinë e kaluar mujore. DW
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.