Fjalimi i Trump për amerikanët – “Kemi krizë në kufirin jugor. Demokratët të rihapin Qeverinë”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje Kongresit që t’i dorëzohet kërkesës së tij për 5.7 miliardë dollarë, që të ndërtojë murin në kufi me Meksikën. Megjithatë, ai nuk shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare, që do të sillte financimin e detyrueshëm të projektit. Duke u përballur me kundërshti nga demokratët në Kongres, Trump tha në një fjalim në zyrën e tij se ekziston një krizë sigurie në kufirin SHBA-Meksikë.
“Të dashur amerikanë, Sot unë flas me ju për shkak se po krijohet një krizë humanitare dhe e sigurisë në kufirin jugor. Çdo ditë, policia kufitare përballet me mijëra emigrantë të jashtëligjshëm. Nuk kemi hapësirë për t’i mbajtur ata dhe nuk ka mënyrë se si ti kthejmë mbrapsht. Emigrimi i jashtëligjshëm kufizon burimet publike, ul vendet e punës dhe pagat. Muajin e kaluar, 20,000 fëmije emigrantë erdhën në SHBA. Këto fëmijë përdoren si peng nga banda të pamëshirshme.”
Megjithatë, pasi kishte thënë prej disa ditësh se mund të përdorë fuqinë e tij presidenciale për të shpallur gjendjen e emergjencës, Trump dukej se ishte i gatshëm për të arritur një zgjidhje në Kongres. Trump do të vizitojë kufirin jugperëndimor këtë javë dhe nuk është ende e qartë nëse ka ndarë mendjen që nuk do të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare. Komentet e Trump vijnë 18 ditë pas mbylljes së qeverisë, që ndodhi prej kërkesës së tij për ndërtimin e murit. Ai e sheh murin si një mjet për të ndaluar emigrantët e jashtëligjshëm dhe trafikun e drogës.”
“Së fundmi, zbatuesit e ligjit kanë kërkuar 5.7 miliardë dollarë për një barrierë fizike. Me kërkesën e demokratëve, do të jetë mur çeliku dhe jo betoni. Mbyllja e qeverisë po ndodh vetëm prej demokratëve. E vetmja zgjidhje për ata është që të kalojnë paketën e financimit që mbron kufijtë dhe rihap qeverinë.”
Demokratët dhe kundërshtarët e tjerë të murit në kufi, kishin kërcënuar veprime ligjore nëse Trump lëshonte urdhrin, duke argumentuar se ai po krijon një krizë për të mbajtur premtimin e fushatës së tij, që gjatë asaj kohe tha se do paguhet nga vetë Meksika. Qeveria e Meksikës ka refuzuar të ofrojë financim për murin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.