Forumi ballkanik kundër anti-semitizmit, Pompeo: “Shqiptarët, streha e hebrenjve”. Rama: “Të luftojmë ekstremizmin”
Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar “Forumin Ballkanik kundër anti-semitizmit”. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, deklaroi se Shqipëria do të shndërrojë luftën kundër antisemitizmit në një çështje për të gjithë Ballkanin.
Në këtë forum, mbajti një fjalim edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se shqiptarët i kanë mbrojtur hebrenjtë me jetën e tyre, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Të përpiqemi e ndërgjegjësojmë se antisemitizmi është një kërcënim real që shkon përtej asaj që shënjestron. Së fundmi Kuvendi miratoi rezolutën e hartuar nga Shoqata e Përkujtimit të Holokaustit, por pa dashur të marr më shumë kohë nga koha juaj e çmuar, dua të them se kërcënimi më i madh me të cilin duhet të përballemi e ta krahasojmë me diçka të përhershme, nuk është vetëm shprehja e menjëhershme e antisemitizmit në formën e vet më të dhunshme por është relativizmi, i asaj që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore që është realisht burimi i kryerjes së kësaj të keqe mjaft të madhe nëse s’do jemi të bashkuar që ta shterojmë këtë burim”, tha Rama.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha mesazhin e tij në forumin kundrër antisemitizmit, duke u shprehur se shqiptarët ishin streha e hebrenjve për ti shpëtuar nazizmit.
“Kam kënaqësinë të bashkohem me ju në këtë forum. Shqipëria është një mik i madh i SHBA. Pas luftës dhe holokaustit ishte vendi që ofroi një ndihmë të rrallë për hebrenjtë. Shqiptarët ishin streha për hebrenjtë, për t’i shpëtuar nazizmit. Ju shpëtuat jetë dhe iu dhatë edhe dokumente false për t’i shpëtuar. Nder për Shqipërinë dhe trashëgimin e saj e tolerancën e saj. Ashtu siç reflektohet nga ky Kuvend që bashkon përpjekjet për të luftuar antisemitizmit.”
Ndërsa presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, bëri thirrje se shoqëria duhet të reagojë sa herë që racizmi apo antisemitizmi “ngrenë kokë”. Sassoli shtoi se shembullin që dha Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore duhet të ndjekin edhe vendet e tjera të botës.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.