(FOTO E RRALLË) Si ishin kabinat elektrike në Shqipëri në vitin 1930! Historia e kompanisë S.E.S.A
Shoqëria Elektrike Shqiptare Anonime (S.E.S.A) ishte një shoqëri me qendër në Tiranë, e krijuar në vitin 1929. Në bazë të statutit, kapitali i saj fillestar ka qenë 2 milionë franga ari, i ndarë në 10 mijë aksione nga 200 franga ari secili. Kjo ishte një shoqëri italiane e specializuar në sektorin elektrik.
Krijimi i kësaj shoqërie në Shqipëri erdhi si prezencë përmes degës së S.E.I.A-s (Società Elettrica Italo-Albanese) të krijuar në 1927 në Itali.
Në fillim të vitit 1939, kjo shoqëri zotëronte plotësisht ose pjesërisht industrinë elektrike në qytetet Tiranë (periferi), Shkodër, Vlorë, Fier, Berat, Kavajë e Gjirokastër. Në këshillin administrativ të kësaj shoqërie bënin pjesë edhe shqiptarë. Në vitin 1930 si President i S.E.S.A-s u caktua Abdurraman Mati (senator, politikan e një nga njerëzit me më influencë në Shqipëri në ato vite).
Kjo shoqëri do të konkurronte fort me kompanitë e tjera të sektorit për të marrë koncesionet e furnizimit me energji elektrike në garat që hapnin bashkitë e vendit.
Garën për furnizimin me energji elektrike të qytetit të Tiranës kjo kompani do të humbte përballë kompanisë S.I.T.A me kapital shqiptar, megjithatë do të merrte koncesionin e furnizimit të periferisë së qytetit.
Deri në periudhën e pushtimit italian të vendit në 1939, kompania do të merrte koncesione afatshkurtëra ndërsa pas pushtimit, do të rriste jo vetëm prezencën e saj në sektor por edhe do të përfitonte kontrata me afate të gjata për furnizimin e qyteteve me energji elektrike.
Fotoja mëposhtë i përket fototekës Marubi, mban datën 4 qershor 1930 e tregon se si ishte kabina elektrike e kompanisë S.E.S.A. Sa i përket Shkodrës, kjo kompani kreu studime për ndërtimin e një hidrocentrali në lumin Kir.
Nga Kreshnik KUÇAJ/Portali ekonomik SCAN (www.scan-tv.com)
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.