Gates: Pulat, një investim i mirë për të zhdukur varfërinë globale
Bashkëthemeluesi i Microsoft, miliarderi dhe filantropi Bill Gates beson se pulat janë një mjet mjaft i rëndësishëm për të luftuar varfërinë globale.
Ai u dhuroi 100.000 zogj familjeve të varfra në zonat rurale dhe argumenton se dhënia e pulave te të varfrit është një investim mjaft i mirë pasi ato janë të lehta për tu kujdesur, riprodhohen shpejt si dhe sigurojnë një burim thelbësor të të ushqyerit.
Qëllimi afatgjatë i Gates është të ndihmojë 30 për qind të familjeve rurale në Afrikën subsahariane.
Në një letër të hapur drejtuar Gates, ekonomisti i universitetit të Çikagos, Chris Blattman i kërkoi atij të rishqyrtojë angazhimin e tij për këto pula pasi Blattman mendon se është më efektive që njerëzve t’u jepet shuma e parave që kushton një pulë dhe të vendosin vetë se çfarë duan të blejnë me ato para.
Blattman argumenton se Gates mund të financojë eksperimentin përfundimtar për të testuar efektivitetin e pulave kundrejt parave të gatshme, të cilat ai mendon se do të kushtonin rreth 15 milionë dollarë.
Ekonomisti shkon aq larg sa të thotë se ky test do të ishte “investimi më i mirë që mund të bëjmë për të luftuar varfërinë botërore”.
Por kush ka të drejtë?
Ndoshta asnjëri prej tyre, Lant Pritchett, një ekonomist i Zhvillimit Ndërkombëtar në Harvard, mendon se Gates dhe Blattman e kanë humbur rrugën e tyre.
Duke u fokusuar në zgjidhje të varfërisë si pulat dhe parat cash po injorojnë atë që ka në të vërtetë rëndësi për rritjen e standardeve të jetesës së të varfërve në botë, siç është rritja ekonomike.
“Pothuajse të gjitha arsyet pse bota ka ecur përpara në reduktimin e varfërisë ditore është se njerëzit u zhvendosën nga ekonomitë me rritje të ulët në ekonomi me rritje të lartë.
Në mënyrë të veçantë në një artikull për Qendrën e Zhvillimit Global, Princhett vuri në dukje reformat ekonomike në Kinë, Indi, Indonezi dhe Vietnam të cilat tërhoqën qindra milionë njerëz nga varfëria.
Ai mendon se paratë filantropike të Gates si dhe 15 milion dollarët për eksperimentin e Blattman do të shpenzoheshin më mirë në kërkim të reformave të ngjashme në shumë vende të tjera për të përmirësuar mjedisin e tyre rregullator ose për nxitjen e politikave si tregtia e lirë.
Por çfarë është e gabuar në lidhje me këtë? Sipas Pritchet, problemi qëndron se programet kanë një efekt margjinal mbi varfërinë e përgjithshme në raport me politikën ekonomike qeverisëse.
Ai argumenton se, edhe pse është më e vështirë të përcaktohen përfitimet, përpjekjet për të nxitur rritjen ekonomike nëpërmjet qeverisjes së mirë janë shumë më të vlefshme sesa programet diskrete.
Kjo i shtyn filantropët dhe OJQ-të në terren politik ndoshta të pakëndshëm, por vetëm për shkak se alternativat janë më të lehta për t’u matur nuk e bëjnë ndikimin e tyre më të rëndësishëm.
V.Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.