Gjiknuri takon homologun gjerman, Scheuer – Prioritet, projektet e përbashkëta në infrastrukturë dhe energji
Thellimi i bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës dhe energjisë mes Shqipërisë e Gjermanisë ka qenë edhe fokusi i takimit të ministrit të MIE, Damian Gjiknuri, me homologun e tij gjerman, Andreas Scheuer.
Duke u ndalur te infrastruktura aeroportuale, Gjiknuri i ka kërkuar Scheuer të ftojë kompanitë gjermane për zhvillimin e saj në vendin tonë, kryesisht në pjesën jugore.
“Patëm një takim shumë të frytshëm me homologun gjerman. U fokusuam në bashkëpunimin e Shqipërisë në fushat me të cilat ka interes siç janë infrastruktura dixhitale pasi jemi duke diskutuar për disa projekte të përbashkëta. Pse jo edhe interesi i kompanive gjermane për të zhvilluar infrastrukturën aeroportuale në Shqipëri. Unë i kërkova ministrit të ftojë kompanitë gjermane në potencialet e mundshme që do të hapen në zhvillimin e kësaj infrastrukture aeroportuale sidomos në jug”, u shpreh Gjiknuri.
Duke e konsideruar Gjermaninë një partnere shumë të rëndësishme, shtoi se Shqipëria mirëpret bizneset gjermane, që sipas tij janë një forcë për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Ndërkohë, Scheuer tha se Gjermania mbështet Shqipërinë, ndërsa e ka cilësuar atë një donator shumë të rëndësishëm.
“Ne jemi një donator i rëndësishëm i vendit tuaj në mënyrë të vetëdijshme sepse shikojmë potencialet e mëdha që ofron ky vend jo vetëm në sektorin ekonomisë, të energjisë, të bujqësisë, por sigurisht edhe në atë të turizmit. Në të gjithë këta sektorë nevojitet infrastruktura e nevojshme, për këtë arsye, biseda të tilla dhe vizita të tilla si kjo e sotmja janë një kënaqësi e veçantë për ne. Unë ju ftoj përzemërsisht të vini në Berlin”, u shpreh ministri Scheuer.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.