Gjyqtarët kundër Vetting-ut – Shqyrtimi i padisë, më 28 shtator në seancë të hapur
Padia e dy shoqatave të gjyqtarëve ndaj Reformës në Drejtësi, do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese më 28 shtator përmes një seance publike.
Në seancë do paraqesin qëndrimet e tyre Kuvendi, Këshilli i Ministrave, si dhe dy shoqatat e gjyqtarëve që kanë ngritur padinë.
Gjatë seancës së sotme trupi i përbërë nga 8 gjyqtarë ka shqyrtuar padinë e bërë në një seancë pa praninë e palëve dhe të mediave.
Me shumica votash gjyqtarët kushtetues vendosën që më 28 shtator të ftojnë në seancë publike palët e përfshira në këtë proces, në një kohë kur fillimisht u vendos që shqyrtimi i padisë të bëhej në bazë të dokumenteve.
Padia e përbashkët e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon shfuqizimin e 25 neneve nga paketa e tre ligjeve kryesore të reformës në drejtësi.
Në shënjestër janë më së shumti nenet të cilat ata i vlerësojnë antikushtetuese si pamundësia për t’u dorëhequr gjatë kohës që janë në sitën e vettingut, marrja për bazë e opinionit publik në vlerësimin e tyre, deklarimet e dëshmitarëve të drejtësisë si dhe kontaktet me botën e krimit.
Një ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë argumentoi se palës paditëse i mungon legjitimiteti dhe se procesi i pastërtisë së kontrollit të figurës është i bazuar te standardet evropiane.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.