HEC edhe në Bulqizë e Gramsh – Mbërrijnë aplikimet pranë Ministrisë së Energjisë
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës ka regjistruar dy aplikime të tjera për ndërtimin e dy hidrocentraleve të vegjël në qarkun e Elbasanit dhe Dibrës.
Shoqëritë ‘Hidro Vala’ sh.p.k dhe ‘Ergi’ sh.p.k që kanë si objekt të aktivitetit të tyre përkatësisht ndërtimin e hidrocentraleve, prodhim dhe shitje energjie elektrike si dhe kryerjen e veprimtarive ndërtimore kanë shfaqur interes për ndërtimin e një impianti hidroenergjitik në qarkun e Elbasanit.
Hidrocentrali ‘Valamara’ me kapacitet të instaluar deri në 2MW është parashikuar të ngrihet në përroin e Sharrës, pjesë e njësisë administrative Bashkia Gramsh.
Ndërkohë, kërkesa tjetër vjen nga shoqëria ‘E.A.K-Energy’ sh.p.k për miratimin e ndërtimit të HEC-it ‘Torrent’.
Nga detajet e projektit, bëhet e ditur se kjo vepër më kapacitet të ulët prodhues do të ndërtohet në përroin e Golimidollit, Gradishtit dhe Vjervakut në Bashkinë Bulqizë.
Ndërsa, nuk bëhet ende e ditur vlera e investimit të hidrocentraleve me kapacitet prodhues deri në 2MW. Vetëm gjatë këtij muaji, kanë mbërritur pranë MIE rreth 6 aplikime të tjera për ndërtimin e këtyre veprave hidroenergjitike.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.