Helmohen nxënësit në Fier nga paisja e panjohur, reagojnë Ministria e Arsimit dhe Shëndetësisë
Në Fier, në shkollën 9 vjeçare “Janaq Kilica” dhjetëra nxënës dhe staf punonjësish janë helmuar nga një pajisje të cilën policia ende nuk e ka identifikuar. Të prekurit u dërguan me urgjencë mesditën e së mërkurës si pasojë e problemeve në rrugët e frymëmarrjes.
Rasti që përsëritej për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër ka ngritur në këmbë të gjithë institucionet e qeverisë shqiptare.
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka bërë një vizitë nga afër në shkollë dhe tek nxënësit ku ka paralajmëruar se masat e sigurisë do të shtohen në të gjitha institucionet arsimore:
“Drejtuesja e prokurorisë dhe ai i policisë më siguruan se së shpejti do të dalin me përfundimet e tyre. Ndërsa në shkollë do të merren masat disiplinore të nevojshme, do të shtohen oficerët e sigurisë dhe po komunikojmë me mësuesit që të jenë më vigjilentë në raste të tilla. Drejtorja e shkollës ka gjithë mbështetjen tonë për vendosjen e disiplinës në shkollë.” – është shprehur ministrja në një status në Facebook.
Gjithashtu për rastin në fjalë ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, Sipas së cilës, në spital ishin paraqitur 50 nxënës, me shenja intoksikacioni, ndërkohë që aktualisht 42 prej tyre qëndrojnë ende në spital. Po ashtu bëhet e ditur se gjendja shëndetësore e nxënësve paraqitet e stabilizuar.
REAGIMI I MINISTRISE
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po ndjek me vëmendje situatën shëndetësore në Fier, ku një grup nxënësit të shkollës së mesme “Janaq Kilica” janë paraqitur me shenja intoksikacioni në spitalin rajonal të Fierit.
Spitali Rajonal Fier bën me dije se 42 nxënës po marrin trajtim në këtë spital dhe gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar.
8 prej tyre kanë lënë spitalin pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa pjesa tjetër po monitorohet në vazhdimësi, por mjekët konfirmojnë se, nuk ka asnjë prej tyre në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor menjëherë sapo është njoftuar për këtë ngjarje në gjimnazin “Janaq Kilica”, në qytetin e Fierit ka nisur grupet e inspektimit në terren për verifikim dhe marrjen e masave të menjëhershme.
Aktualisht, nuk ka të dhëna për ndotje të ajrit në bazë të mostrave të marra nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Fier. Kjo analizë do të kryhet nesër në orën 07.30 për të vendosur hapjen e shkollës dhe vazhdimin normal të procesit mësimor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.