Huaja drejt kompanive në Eurozonë – Në nivelin më të lartë që prej krizës, agregati M3 mbetet i pandryshuar
Huaja drejt kompanive të Eurozonës është rritur në nivelin më të lartë që prej mesit të 2009-ës, ndërsa treguesi i gjerë i parasë në qarkullim ka mbetur i pandryshuar në linjë me pritshmëritë. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Europiane mbi zhvillimet monetare në Eurozonë për Janarin, huadhënia drejt firmave jo-financiare u rrit me 3.4%, krahasuar me 3.1% në muajin e kaluar.
Ndërkohë, drejt ekonomive familjare, norma ka mbetur e qëndrueshme në nivelin e pas krizës, me 2.9% rritje. Nëpërmjet blerjes në mbi 2 trilionë euro borxh në tre vitet e fundit, Banka Qendrore Europiane ka ulur kostot e huamarrjes dhe nxitur huadhënien, me synim arritjen e objektivit mbi inflacionin. Ndërkohë që përpjekjet e bankës kanë dhënë rezultat dhe rritja e huasë ka arritur në nivelin më të lartë që prej 2009-ës, norma qëndron ende më e ulët krahasuar me periudhën përpara krizës financiare.
Shumë banka në rajon, duke u përballur me presionin e ndreqjes së bilanceve të tyre, kanë hasur sfida në huadhënien drejt ekonomisë reale, duke limituar kështu transmetimin e politikave të BQE. Rritja e agregatit monetar M3, që është tregues i ofertës së parasë dhe shihet si pararendës i aktivitetit ekonomik, qëndroi në 4.6%, e pandryshuar nga muaji i kaluar. Ndër kontribuesit më të mëdhenj në këtë masë, ka qenë krediti ndaj sektorit privat.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.