Hyrja e qytetit të Sarandës – Gjiknuri: Përfundon para sezonit turistik. Brenda vitit nis rruga Kardhiq-Delvinë
Rruga hyrëse e Sarandës do të përfundojë para sezonit turistik. Kështu është shprehur Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i shoqëruar edhe nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe deputeti i zonës Alket Hyseni gjatë vizitës së tij në Xhaminë e Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës e cila po rikonstruktohet.
“Saranda është një qytet që gjithmonë do të ketë sihariqe sepse është një vend ku turizmi ka zhvillim e padyshim mbetet në vëmendjen e qeverisë shqiptare. Rruga hyrëse e Sarandës do të përfundojë përpara sezonit turistik, duhet thënë se vonesat kanë ardhur për shkak se nuk ishin parashikuar fonde për vitin e kaluar. Janë marrë masat në buxhetin e këtij viti që ajo rrugë të përfundojë dhe të jetë funksionale tashmë me të gjitha parametrat e duhura”, u shpreh Gjiinuri.
Po ashtu, shtoi më tej se do të nisin punimet për rrugën Kardhiq-Delvinë brenda këtij viti, një aks i cili do të afrojë Sarandën me kryeqytetin dhe me pjesën tjetër të vendit. Gjiknuri u ndal edhe te Aeroporti i Sarandës, duke shtuar se studimi i fizibilitetit për këtë projekt do të përfundojë brenda pranverës.
“Do të jetë kështu një impuls jashtëzakonisht i madh për gjithë aktivitetin turistik të Sarandës. Brenda pranverës do të përfundojmë studimin e fizibilitetit për aeroportin e Sarandës, një aeroport turistik që unë kam bindjen se do të jetë një nyje e rëndësishme që nuk do ti shërbejë vetëm Sarandës por edhe Korfuzit pasi aty janë konsumuar të gjitha mundësitë për fluturim. Pse jo, kemi folur edhe për mundësinë e vazhdimit të investimeve për Portin e Sarandës në mënyrë që të zgjerohet kalata. Ky është një projekt që do të dojë disa vite pasi ka interes nga kroçerat për të pasur Sarandën stacion të përditshëm gjatë sezonit turistik”, theksoi Gjiknuri.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.